Shtyhet sërish rifillimi i mësimit
Në Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Vorë procesi nis në 9 Dhjetor
Shtyhet sërish rifillimi i procesit mësimor për bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kurbinit dhe Vorës. Rreth 4800 nxënës dhe 650 mësues të prekur nga tërmeti kanë shtëpi të dëmtuar apo të pabanueshme.
“Bashkia Kurbin ka një numër më të madh të shkollave të dëmtuara, ndaj mësimi në Bashkinë Kurbin fillon me datë 9 dhjetor. Do t’i japim pak më shumë kohë bashkisë të bëjë riparimet e nevojshme dhe të mund të fillojë mësimin normalisht me datë 9 Dhjetor. duke marrë parasysh që Bashkia Vorë ka disa shkolla të tjera që kanë dëmtime mesatare por që kanë më shumë nevojë për riparime, Bashkia Vorë do të rifillojë mësimin me 9 dhjetor. Bashkia Tiranë, përveç fshatit Pezë, që shkolla ka dalë komplet jashtë funksionit – në fakt janë disa shkolla atje që kanë dalë jashtë funksionit – nuk ka shkolla të tjera që kanë dëme për t’i nxjerrë komplet jashtë funksionit, por ka mjaftueshëm shkolla me dëme mesatare që nuk mund të rihapen”.
Shkollat private, kopshtet dhe çerdhet duhet të marrin konfirmim nga Instituti i Ndërtimit për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tyre.
“Kam nxjerrë urdhër që kopshtet dhe shkollat private duhet të marrin një konfirmim nga Instituti i Ndërtimit para se të rihapen. Për të gjitha shkollat private që mund të dalin me probleme me godinat, pronarët janë të obliguar që në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) të depozitojnë planet e zhvendosjes së nxënësve dhe do ta monitorojmë me shumë kujdes”.
Sipas ministres Besa Shahini për të gjitha familjet e akomoduar në komplekse hotelerie do të ngrihen shkolla brenda këtyre ambienteve. Nga verifikimet në terren rezulton se 49 shkolla në Tiranë dhe Durrës kanë pësuar dëmtime nga tërmeti 26 Nëntorit.
Tv Klan