Kurban Bajrami, namazi do të falet nëpër xhamia sipas masave anti-Covid
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se dita e parë e Kurban Bajramit është të premten, më 31 Korrik 2020.
Në një deklaratë për mediat, KMSH thotë se duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, namazi i Kurban Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.
Ceremonia qendrore e Kurban Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë.
Falja e Namazit do të bëhet në orën 06:30. KMSH bën gjithashtu me dije se pritjet tradicionale me rastin e kësaj feste në selinë e institucionit nuk do të zhvillohen./tvklan.al