Kurora e gjelbër që rrethon kryeqytetin urban
Kur flasim për Tiranën, nënkuptojmë sheshin Skënderbej, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, apo ndërtesa të tjera historike të këtij qyteti. Ky është në fakt edhe destinacioni i turistëve që vizitojnë kryeqytetin e Shqipërisë.
Por qendra e zhurmshme urbane rrethohet nga një kurorë peisazhesh natyrore dhe objekte të trashëgimisë kulturore të cilat ofrojnë një mjedis fantastik për vizitorët që mund të bëjnë piknik apo çiklizëm malor.
Ndroqi, Petrela, Baldushku, Farka, Dajti e Shëngjergji janë vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe ofrojnë bukuritë e natyrës me historitë qindra vjeçare. Për t’i shërbyer promovimit të këtyre zonave Bashkia e Tiranës ka mbështetur prodhimin e një cikli reportazhesh.
Kjo është Tirana rurale, bio, e freskët, e pastër dhe plot me mjedise shplodhëse. Pas kodrave dhe fushave, natyra të fton ende të zbulosh bukuritë e pa eksploruar nga njerëzit. Lumenjtë janë një bekim për këto zona, dhe ujërat e kristaltë herë të qetë e herë të vrullshëm në tatëpjetat e thepisura, apo kjo ujëvarë e fshehur mes gjelbërimit të dendur si një oaz qetësie.
Tirana ka një traditë të vjetër dhe në kulinari e kjo duket në ushqimin që të ofrojnë të restorantet e zonës.
Por jo vetëm natyra. Këto zona bartin edhe objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Keshtjella, rrënoja kështjellash dhe vende të shenjta.
Këto rrënoja ne Shëngjergj, që janë të shkollës së parë shqipe në tiranë, ngjajnë me një lapidar që duket sikur natyra ia ka ngritur atyre që i dhanë udhë për herë të parë shkollës këtu. Kjo natyrë ka vend dhe për ata që kërkojnë qetësinë. Larg pluhurit fëmijët në Pezë kanë vendin ideal për të kaluar pak orë të gëzuara në këtë park. Natyra piktoreske nuk do të zhgënjejë askënd pasi në cdo moment ajo mirëpret këdo që e do.
Burimi : KLAN PLUS
Gazetare: Varvara Masho