Kurti nuk heq dorë nga reciprociteti
Sqaron edhe qëndrimin për gazin: Kosova nuk ka refuzuar projektin amerikan
Pavarësisht kaosit dhe tensioneve të shkaktuara në veri vendimi për targat, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk heq dorë nga ideja e tij për reciprocitetin. Qëllimi, sipas tij, është njohja reciproke nga të dyja vendet.
“Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabarta asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si Republikë e Kosovës, si qeveri demokratike do të angazhohemi që në vijim të kemi padyshim reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësinë në vend sa i përket raporteve tona, e natyrisht që në kuadër të këtij reciprociteti do të duhej që në qendër të ishte edhe njohja reciproke”.
Albin Kurti iu përgjigj edhe akuzave se Kosova nuk është pjesë e gazsjellësit amerikan. Thotë se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
“Nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime për planifikime afatgjata, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar, kjo do të thotë se jemi të kujdesshëm, rrjedhimisht jemi shumë të përgjegjshëm dhe padyshim që fondet amerikane janë jo vetëm të mirëseardhura e të dëshiruara, por edhe do të shfrytëzohen nga qeveria jonë”, tha Kurti.
Pak ditë më parë përfaqësues të opozitës në vend kërkuan dorëheqjen e Kurtit pasi sipas tyre dy vendimet për targat dhe gazin janë goditje për Kosovën.
Klan News