Kurti takim me komandantin e NATO-s për veriun
Situata mbetet e bllokuar për ditën e tetë radhazi
Vazhdon të mbetet e njëjtë situata në pjesën veriore të Kosovës konkretisht në rrugët që të dërgojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërrnjak. Qytetarët serbë vazhdojnë të protestojnë para barrikadave ndërsa aty po qëndrojnë edhe njësitet e policisë së Kosovës.
Për këtë çështje kanë zhvilluar një takim kryeministri i vendit Albin Kurti me komandantin e KFOR-it në Kosovë. Pavarësisht këtij takimi kryeministri tha të mos jetë në dijeni nëse KFOR-i do të ndërhyjë sot në veri pasi një lajm i tillë qarkulloi në media.
Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se nëse rrezikohen serbët në veri atëherë do t’i japë NATO-s 24 orë afat për të intervenuar në këtë pjesë.
Derisa nëpërmjet telefonit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s ka diskutuar edhe kryeministri Albin Kurti e që në komunikatë thuhet se janë dakorduar për qetësim të situatës në atë pjesë.
Në një komunikatë drejtuar mediave, KFOR-i ka njoftuar se kanë rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në Kosovë, përfshirë edhe në veri të vendit, për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në komunikatë.
Situata në veri tash e tetë ditë vazhdon të jetë e tensionuar pas vendimit të qeverisë Kurti që si masë reciprociteti të zëvendësohen targat e Serbisë me ato të Republikës së Kosovës.
Tv Klan