Kush është Enkeleida Hoxha
Gjyqtarja që ka liruar me kusht disa nga të fortët e krimit
Disa nga personazhet e njohur të botës së krimit kanë fituar lirinë me firmën e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Ajo ka i ka dhënë lirinë me kusht personave me rrezikshmëri të lartë si Genc Tafili, Endrit Dokle, Ilir Paja apo Hekuran Billa.
Në të gjitha vendimet që ajo ka dhënë ka ndjekur të njëjtën strategji. Fillimisht pranon kërkesën për rrëzim të burgimit të përjetshëm dhe i dënon me 25 vite burg, që sipas Kodit të vjetër Penal, një i burgosur ka të drejtë të fitojë lirinë me para kohe. Nëse nuk plotësohet ky kusht, gjyqtarja u firmos atyre amnisti dhe u njeh ulje dënimi. Dhe më pas, i lë të lirë, që pjesën e mbetur pa shlyer ua konverton në shërbim prove.
Enkeleida Hoxha, në Nëntor të 2017-s, liroi me kusht Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili, nga 25 vite burg kishte kryer vetëm 17. Po me këtë skemë, gjyqtarja e Krujës ka liruar disa ditë më vonë pas Tafilit, edhe Ilir Pajën, të cilit i kishte mbetur nga dënimi pa shlyer një vit burg për vrasje e rrëmbime. Paja njihet për disa arratisje spektakolare nga burgjet e Italisë dhe Gjermanisë.
Ishte po kjo gjyqtare që në vitin 2018 firmosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj të dashurës Xhisiela Malokut, por gjyqtarja e liroi duke e lënë në shërbim prove. Në Shkurt të 2019, ajo liroi nga qelitë e burgut Hekuran Billën, që u ekzekutua në mënyrë mafioze mbrëmjen e 11 Qershorit në Tiranë. Këtij të fundit, ajo i dha lirinë nga 5 vite burg më shërbim prove, gjithashtu në vendimin pretendon se Billa kishte kryer rreth 20 vite burg, që nga 2007 kur ishte arrestuar.
Ndërsa në Janar të 2020, gjyqtarja Hoxha firmosi lirimin e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit. Gjyqtarja fillimisht i rrëzoi burgimin e përjetshëm, e dënoi me 25 vite burg. Më pas pranoi kërkesën e Dokles për lirim me kusht dhe 5 vitet t’i shlyente me shërbim prove. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka kërkuar shkarkim të gjyqtares për shkelje të ligjit dhe cenim të besueshmërisë tek sistemi i drejtësisë.
Seanca e radhës do të mbahej më 16 Shkurt. Gjyqtarja Hoxha e kishte shtyrë disa herë seancat në këshillin e lartë gjyqësor me argumentin se dosja ishte voluminoze.
Klan News