Kush janë 4 personat me precedent penal që duhet të deklarojnë pasurinë para OFL
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacionit Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Astrit Gjoni, banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;
Shaban Zenaj, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit talian;
Petrit Sulejmani, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;
Esat Mehmeti, banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL. /tvklan.al