Kuvendi i Kosovës miraton Demarkacionin me Malin e Zi
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës Demarkacioni me Malin e Zi. Votimi i kësaj marrëveshje u bë në tentativën e pestë për ta hedhur në votim.
Deri tek kalimi i Demarkacionit erdhi pas një debati maratonik që u mbajt në parlament, i cili zgjati rreth nëntë orë, ku folën mbi 30 deputetë për këtë çështje
Ligjvënësit i thanë po Demarkacionit, një muaj pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dolën me një deklaratë të përbashkët sipas së cilës parashihet formimi i një trupi të përbashkët punues me përfaqësues të Malit të Zi.
Ky organ, pritet të evidentojë mospajtimet në lidhje me vijën kufitare dhe të bëjë korrigjimet e nevojshme në Çakorr e Zhlep.
Marrëveshja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit ishte firmosur në Vjenë më 26 Gusht të vitit 2015 nga Presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi asokohe, ministër i jashtëm, dhe ish-ministri i brendshëm, Skender Hyseni, ndërkaq për palën serbe firmën e kishin vënë ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç, dhe ai i Brendshëm, Rashko Konjeviç.
Që nga ajo kohë, kjo marrëveshje ka hasur në kundërshtime të mëdha të opozitës me arsyetimin se Kosova po humb 8 mijë hektarë tokë.
Në mesin e atyre që ishin kundër Demarkacionit ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj në kohën sa ishte në opozitë.
Ai në ditën e parë të punës në krye të ekzekutivit kishte shkarkuar komisionin për shënimin e kufirit duke emëruar Shpejtim Bulliqin si udhëheqës të ekipit të ri.
Pas votimit të Demarkacionit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet kushti vetëm i Bashkimit Evropian për t`ua hequr vizat kosovarëve./Klan Kosova