Kuvendi i Kosovës voton sot për qeverinë e re
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare ku pritet të hidhet në votim Qeveria e re e Kosovës.
Kjo seancë erdhi pas kërkesës së Kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili kërkoi nga Kryesia e Kuvendit, të caktojë seancë më 3 Shkurt për formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, dje arriti përfundimisht marrëveshje bashkëqeverisëse më Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila është subjekti i dytë fitues pas zgjedhjeve të mbajtura më 2019.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, Qeveria e Kosovës konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i bie së paku të ketë 61 vota.
Në Kushtetutën e Kosovës, janë parashikuar edhe procedurat e tjera në rast se Qeveria nuk merr shumicën e votave të nevojshme.
“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetutë. /klankosova