Kuvendi miraton ndryshimet në qeveri
I mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi ka votuar këtë të hënë shkarkimet dhe emërimet e reja në qeveri, në bazë të marrëveshjes së 18 Majit.
Në seancë ishin të pranishëm 126 deputetë dhe çdo kandidaturë mori më shumë se 100 vota pro.
Kështu, në postin e Zëvendëskryeministres u votua Lediana Mandia, e cila zëvendësoi Niko Peleshin.
Dritan Demiraj është Ministri i ri i Brendshëm, në vend të Fatmir Xhafës.
Hegla Vukaj është Ministrja e re e Financave, në vend të Arben Ahmetajt.
Gazment Bardhi vjen në krye të Ministrisë së Drejtësisë, duke zëvendësuar Petrit Vasilin.
Arben Beqiri është Ministri i ri i Shëndetësisë, në vend të Ogerta Manastirliut.
Xhuljeta Kertusha merr drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, në vend të Olta Xhaçkës.
Ndërsa Mirela Karabino do të jetë Ministrja e re e Arsimit, në vend të Lindita Nikollës.
Kjo seancë e jashtëzakonshme shënon rikthimin pas tre muajsh në Kuvend të opozitës. Ministrat e rinj janë pjesë e marrëveshjes së 18 Majit, mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ministrat e rinj pritet që të shkojnë në Presidencë për të bërë betimin përpara Presidentit të Republikës, Bujar Nishani./tvklan.al