Kuvendi “rrëzon” tre herë Metën
Mazhoranca votoi kundër dekreteve të Presidentit
Kuvendi ka rrëzuar tre dekretet e Presidentit Ilir Meta me anë të të cilave ai kishte kthyer për rishqyrtim tre ligje.
Mazhoranca nuk i mori parasysh argumentet e paraqitura nga kreu i shtetit dhe me shumicë votash rrëzoi dekretin për kthimin e ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, ku ndër të tjera parashikohet edhe heqja e TVSH–së për importimin e jahteve dhe mjeteve të tjera ujore.
Gjithashtu, Kuvendi votoi kundër edhe dekreteve që kthenin ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar” dhe atë për “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.
Një ditë më parë Presidenti Meta nëpërmjet një reagimi publik shprehte shqetësimin për shqyrtimin sipërfaqësor që Komisioni i Ekonomisë i kishte bërë dekreteve të tij, ndërsa kërkoi hetimin nga SPAK të të gjithë procedurës për miratimin e këtyre ligjeve.
Tv Klan