Lady Gaga “shpërthen” në “Super Bowl”


Lady Gaga “shpërthen” në “Super Bowl”

17:15 06/02/2017

Lady Gaga ka dhënë mbrëmë “shfaqjen e jetës”, me rastin e finales së 51-të të “Super Bowl”. 100 milionë njerëz ndoqën performancën shpërthyese të yllit të pop-it, në ngjarjen më të rëndësishme të sportit amerikan. 

Ashtu siç e do tradita, pushimi i ndeshjes finale të “Super Bowl”-it amerikan, rezervoi një spektakël të vërtetë.

Lady Gaga, artistja e mbrëmjes, tej çdo imagjinate, u shfaq papritur në pikën më të lartë të stadiumit. Në sfondin e errët ndriçuar nga dritat e qytetit të Houstonit, kantautorja u rrethua nga 300 dronë të cilët formuan me ngjyra flamurin amerikan… 

Shfaqja e yllit të pop-it nisi me notat e qeta të hitit folk, “This land is your land”, për të shpërthyer më pas me fluturimin nga tarraca, direkt në skenën gjigande brenda stadiumit…

Veshur me një kostum teknologjik, shoqëruar nga efektet piroteknike, Lady Gaga u duk si një jashtëtokësore… Jo më shumë për shkak të akrobacive në skenë, se sa për magjinë vokale… 13 minuta në aktivitet të jashtëzakonshëm fizik, nuk ndikuan aspak në cilësinë  muzikore të 30-vjeçares. 

Nëse vitin e kaluar, mesazhi që Beyonce dha përmes performancës së saj, ishte politik dhe kundër vrasjes së afrikano-amerikanëve nga ana e policisë, këtë vit, Lady Gaga zgjodhi të jepte një tjetër mesazh të fortë.

Rrjetet sociale shpërthyen teksa ajo këndoi përpara zv/presidentit aktual Mike Pence, fjalët e këngës “Born this Way”: “Nuk ka rëndësi nëse jam gay, straight, lezbike apo transgjinore. Unë jam në rrugën e duhur. Unë kështu kam lindur”.

Shfaqja, e ndjekur nga më shumë se 100 milionë shikues, mund të jetë një nga performancat më të mira në historinë e këtij eventi në Amerikë./tvklan.al






Të ngjashme