Lajçak: BE, shumë serioze për dialogun Kosovë-Serbi


Lajçak: BE, shumë serioze për dialogun Kosovë-Serbi

18:26 16/06/2020

“Të rinisë aty ku u la, në Bruksel”

Emisari special i Bashkimit Europian Miroslav Lajçak ka folur lidhur me takimin që sot pati me Presidentin e vendit Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Bashkimi Europian është i angazhuar që sa më shpejtë të rinisë dialogu, njofton Klan Kosova.

“Kjo është vizita ime e parë në këtë kapacitet si përfaqësues i BE-së për dialogun me Kosovës e Serbisë dhe në këtë rast pata takim në emër të 27 vendeve të Bashkimit Europian”.

“BE është shumë serioze kur bëhet fjalë për këtë proces dhe mandati im është që të ndihmojë dhe të arrihet një marrëveshje legalisht e obligueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rregullonte të gjitha marrëdhëniet në mes këtyre dy vendeve e që do të ishte e pranueshme për të dy këto vende dhe vendet e tjera përreth. Prandaj unë pres që këtë proces të përcjellim me sukses dhe të sjelljes ashtu siç ka filluar nga viti 2011”, tha Lajçak.

Lajçak e ka cilësuar si të frytshëm takimin që pati me Presidentin e Kosovës, ndërsa paralajmëroi edhe takime të tjera me zyrtarë të tjerë të Kosovës.

“Pata një bisedë konkrete me presidentin Thaçi për planin për elementet metodologjinë. Dhe do të vazhdojmë komunikimin tonë edhe me përfaqësuesit e tjerë të Kosovës me Kryetaren e Parlamentit, Kryeministrin, liderët e partive politike dhe po ashtu do të vazhdojë vizitën time në Beograd në mënyrë që të fillojmë përgatitjet për procesin e dialogut”.

Pyetur nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur më 27 qershor në Washington, ai la të nënkuptoi se do që dialogu të nisë në Bruksel.

“Shpresojmë që ky proces, të vazhdojë dhe do të ketë takim së shpejti edhe në Bruksel”.

“Nuk e di por ajo që di është se Bashkimi Europian ka punuar afër me SHBA-të dhe gjithçka që është arritur në dialogu është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë në mes BE-së dhe SHBA-së.

Do të doja të vazhdojë ky komunikim i ngushtë me SHBA-të”, tha ai./klankosova






Të ngjashme