Lajme nga bota, Sakic, La Grand, Levinski (4 Mars 1999)
Lajme nga bota: Në Zagreb është hapur një proces gjyqësor ndaj njeriut të nazistëve Dingo Sakiç, 78 vjeçari i cili do të gjykohet nën akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Ai ka qënë drejtor i njërit prej kampeve më të tmerrshme në Kroaci i quajtur dhe Aushviç i Ballkanit. Ai është arrestuar vitin e kaluar në Argjentinë dhe është ekstraduar në Kroaci.
Është ekzekutuar mbrëmë gjermani Valter La Grand në dhomën me gaz. Gjykata e Apelit në Arizona nuk ka pranuar t’i falë jetën La Grand, me gjithë presionet e diplomacisë gjermane, madje të vetë shefit të saj Fisher i cili ka kërkuar faljen e gjermanit, kështu është shprehur zëdhënësja e autoriteteve të larta të burgut të Arizonës. Vëllai i tij Karl është ekzekutuar një javë më parë me vdekje me injeksion.
Rrezikon 200 vjet burg piloti i Marinës Amerikane Ricard Ashbi, i akuzuar për tragjedinë e 3 Shkurtit të ’98-së në Cernis të Italisë, ku si pasojë e fluturimit nën kuotat e duhura aeroplani ka këputur telat e teleferikut duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave. Janë nën akuzë dhe tre pilotë të tjerë që ishin me të.
Monika Levinski dje ka dhënë për herë të parë një intervistë ekskluzive ku ka folur për marrëdhënien e saj me Klintonin. Sot ka dalë dhe libri i saj./tvklan.al
Gazetare : Mirela Milori