Lajme nga Kosova, Klinton, bombardime (12 Prill 1999)
“Do të luftojmë për të ardhmen. Lufta duhet çuar deri në fund sepse një luftë e lënë përgjysëm krijon çekuilibrime.” Kështu ka thënë Presidenti Klinton para ushtarëve të bazës në Luizanë. Ai ka folur para trupave amerikanë që do të vijnë në Shqipëri dhe ka bekuar trupat amerikanë të NATO-s duke thënë se në Kosovë po vriten mijëra të pafajshëm.
Kjo mund të ndalohet vetëm nga zoti Millosheviç i cili nuk po e ndërmerr një hap të tillë ka thënë Klinton. Për herë e më shqetësues fati i kosovarëve të mbetur në tokën asnjanëse mes Maqedonisë dhe Serbisë ditë më parë. Sipas UNHCR-së rreth 100 mijë persona janë zhdukur në Kosovë dhe nuk dihet fati i tyre. Zëvëndëskryeministri Serb Drashkoviç ka kërkuar një marrëveshje me Rugovën sipas së cilës në Kosovë mund të hyjë një forcë ushtarake ndërkombëtare.
Në Kongresin Amerikan po vazhdojnë replikat dhe debatet për ndërhyrjen e forcave tokësore të NATO-s në Kosovë. Bombardimet e NATO-s mbi territorin e ish Jugosllavisë kanë vazhduar mbrëmë dhe gjatë ditës së sotme. Paraditen e sotme është goditur dy herë Prishtina dhe Aeroporti i saj, ndërsa duke u gdhirë e sotmja janë goditur një përforcues i Televizionit Serb, qyteti i Lipjanit, i Grasanicës, një rafineri nafte në periferi të Beogradit, Uzina e vetme e prodhimit të makinave, fabrika në Serbinë Qendrore dhe Novisadi./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori