Rama prezanton planin me 3 pika: S’ka rritje energjie për familjet dhe biznesin e vogël


Rama prezanton planin me 3 pika: S’ka rritje energjie për familjet dhe biznesin e vogël

16:33 09/10/2021

Ashtu siç pati paralajmëruar, Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë planin e qeverisë për mbrojtjen nga kriza energjetike.

Plani i qeverisë ndaj krizës ka 3 pika:

-Garantimin e furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë.

-Mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike, të instrumenteve të garancisë sovrane, shtetërore që do të jenë të ripërtëritshme në vlerën 100 mln Euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln Euro të tjera në fillim të vitit tjetër.

Nuk do ketë rritje të energjisë për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël

“Detyra jonë është të jemi shoku i mirë në ditë të vështira, për të gjithë ata që nuk mund t’i përballojnë pasojat e krizave të kësaj natyre. Por duke refuzuar kategorikisht çdo pretendim dhe çdo ide se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, duke ju thënë se kjo është për ne në aspektin financiar mund të jetë për këtë deri po aq sfiduese sa pandemia. Me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri, por edhe si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm.

Plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, as parashikon ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi. Stuhia e kësaj krize dhe është e rendësishme përsëri të dëgjojmë njeri tjetrin, sipas ekspertëve ndërkombëtar, por edhe në gjykimin e disa vendeve mike me të cilat jemi konsultuar për si e shohin dhe qysh duan ta adresojnë krizën, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në fillimin e verës së ardhshme, natyrisht këto janë parashikime mund të ndodhë më parë, por mos qoftë e thënë mund të zgjasë dhe më pas. Megjithatë plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhë. Ndërkohë që qeveria po përgatitet dhe për një konsultim kombëtar brenda këtij viti me të gjithë ju. Do t’ju kërkojmë të na jepni opinionin tuaj mbi këtë çështje dhe jo vetëm mbi këtë çështje në fakt.”

Çmimi i energjisë elektrike nën koston e prodhimit. Nuk ka ndryshuar që prej 2015-s

Rama theksoi se “çmimi i energjisë elektrike në faturën që na vjen nuk është çmimi real i enegjisë që blejmë, por është një çmim i kontrolluar nga shteti”.

“Ky është një çmim nën koston e prodhimit, që është mbajtur i palëvizur pikërisht për të mos lënduar asnjë familje. Nga ana tjetër fasha u hoq sepse ishte një kënetë korrupsioni dhe abuzimesh të padëgjuara, ku deri te fabrika apo 7 kurora me 7 vila dy katëshe zinxhir paguanin si të ishin familje e varfër me ndihmë ekonomike. Por ama ne nuk i futëm të tërë në një thes pasi hoqëm fashën dhe me vendim qeverie të vitit 2015 krijuam një mburojë për ata që realisht ishin familje në nevojë dhe qysh prej atij viti ne financojmë çdo vit nga buxheti i shtetit diferencën, mes 7.7 dhe 9.5-ës, që do të thotë se ata e marrin qysh prej vitit 2015 nga qeveria këtë shumë të diferencës në fondin e tyre të pensionit apo të ndihmës ekonomike”

Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet

“Unë nuk jam këtu as për të heshtur kur thoni që Shqipëria e prodhon vetë gjithë energjinë që i duhet, po ne e shiskemi lirë jashtë, që pastaj ta blejmë shtrenjtë për ta vjedhur. Në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet dhe ne e shesim lirë kur tërë rajoni rrotull nesh nuk ka asnjë nevojë alarmante për energji, që të mos e hedhim ujin e hidrocentraleve në lumë, apo më keq akoma që të mos përmbysim fushat e mbjella duke e mbajtur kapic. Ndërsa nga ana tjetër e blejmë shtrenjtë, sepse dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës. Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që prej 50 vjetësh rrinte në sirtar, që të kemi një rezervuar mbledhës në Kaskadën e Drinit, ujin e tepërt sot që kemi shi ta mbajmë rezervë për nesër kur të kemi thatësirë”.

Nafta e shtrenjtë për shkak të taksës së qarkullimit dhe karbonit

“Jo, nuk e prodhojmë në vend naftën që konsumojmë për automjetet tona. Pasi ajo është e rëndë dhe ajo shitet jashtë për nënprodukte kryesisht për bitum, importon 600,000 ton nafte në vit për diesel dhe për benzinë dhe meqë ra fjala po ato janë sot më të shtrenjtat në rajon sepse sa herë duhet ta përsërisim akoma që në çmimin e naftës që ju blini benzinatë është dhe taksa e qarkullimit, të cilën në rajon e paguajnë veçmas siç është brenda dhe një taksë karboni”.

Në fjalën e tij, kryeministri mes të tjerash theksoi: “Unë nuk jam këtu as për t’jua bërë jetën më të vështirë, as për të thënë se s’kemi çfarë t’i bëjmë tërmetit se na doli jashtë planit financiar, s’kemi ç’ti bëjmë pasojave të virusit se nuk jemi as Gjermania, as SHBA, s’kemi ç’i bëjmë shumëfishimit të energjisë në bursë. Jo. Unë nuk jam këtu as për t’ju thënë se 30 vjet më parë zgjodhëm kapitalizmin kështu që kush ka le të paguajë kush nuk ka le të rrijë në errësirë. Në asnjë mënyrë, këtë nuk kemi për ta bërë kurrë. Por ama, unë nuk jam këtu as për t’i rënë me top arkës së shtetit që askujt mos i dhembë koka sot, punë e madhe se rrëzohemi që të gjithë nesër, siç jemi rrëzuar në fakt, pasi ata përpara na thanë që kapitalizmi është fushë me lule, hidhini lekët për të ndërtuar te Lana, hidhini kursimet për t’u pasuruar te Vehbiu, lidhini fijet për t’u furnizuar me shtyllat e neonit, hidhini faturat pa i paguar, se është kapitalizmi që i zgjidh për ju…”.

Kujtojmë që një ditë më parë, qeveria shpalli emergjencë për furnizimin e energjisë elektrike./tvklan.al






Të ngjashme