Lajmet (23 Qershor 1999)
Ka filluar dje Samiti i Sarajevës për shqiptarët. Me ndikimin e delegacionit rus është hequr emri i Kosovës në tekstin përfundimtar të Samitit për Ballkanin. Presidenti shqiptar Mejdani ka reaguar ashpër duke deklaruar se nuk do ta firmosë këtë dokument nëse emri i Kosovës nuk shkruhet i ndarë nga ai i Ish Jugosllavisë.
Takimi Mejdani-Gligorov në Rinas ka paraprirë nisjen e delegacioneve të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Turqisë për në Sarajevë. Përfaqësuesit e tre fqinjëve duke udhëtuar për në takimin e Sarajevës, vendit simbol të rindërtimit të stabilitetit të Europës Juglindore pas luftës në Jugosllavi.
Energjitika, rrugët, gazsjellësi që përshkojnë Ballkanin do jenë kërkesat e delegacionit shqiptar në Samitin e Sarajevës. Këto i ka deklaruar Ministri Informacionit Musa Ulqini. Ballkani do të rindërtohet duke i mbyllur derën Beogradit. Qeveria Serbe është e vetmja që nuk është ftuar në këtë Samit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të firmosin memorandumin për qëndrimin afatgjatë të ushtarëve amerikanë në Shqipëri. Hapi i parë do jetë rihapja e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes sot. Një kompani amerikano-kanadeze do të investojë 75 milion dollarë për Shqipërinë. Kjo është deklaruar nga drejtuesi i saj vëllai i ish Presidentit Amerikan Ricard Nikson, Eduard Nikson.
Qeveria Shqiptare ka marrë mbrëmë vendimin për dhënien e koncensioneve. Lajmi është deklaruar nga Majko. Kryebashkiaku i Tiranës Albert Brojka deklaroi për TV Klan divorcin e tij nga forumet e larta të Partisë Demokratike.
Trupat e KFOR-it kanë arrestuar në një fshat pranë Prishtinës tre nga katër të dyshuarit për vrasjen e 14 bujqëve serbë. Dje u bë ceremonia e varrimit të tyre.
Mbi 800 milionë lekë janë vënë në dispozicion të pastrehëve që humbën shtëpitë në firmat piramidale. Kredia greke mjafton vetëm për gjysmën e 1200 familjeve të pastreha.
Në Gjykatën e Tiranës bashkohen dy dosje gjyqësore të çeshtjes së 14 Shtatorit. Sot pritet të nisë procesi me dosje të bashkuara.
Një foshnje e lindur në mbrëmje gjendet e braktisur në mëngjes. Policët që e gjetën atë në fshatin Sharrë e dorëzuan në Maternitetin e Tiranës./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj