“Listë e zezë” edhe për ndërtuesit, bllokohen firmat që nuk kanë legalizuar pallatet


“Listë e zezë” edhe për ndërtuesit, bllokohen firmat që nuk kanë legalizuar pallatet

15:25 30/05/2018

Një javë më parë Artan Lame paralajmëroi masa ekstreme për ndërtuesit e pallateve të cilët kanë devijuar lejen e ndërtimit, kanë shitur apartamentet dhe sot nuk kanë më interes për t’i legalizuar ato, duke penalizuar qytetarin.

Sot, kreu i ALUIZNI-t tha se një listë me emrat e ndërtuesve që kanë braktisur objektet e tyre do të shkojë në drejtorinë e Tatimeve, bashkitë dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.

Ne do të fillojmë t’ju përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve dhe do t’ju kërkojmë bashkive që këto shoqëri dhe këta persona të mos pajisen më me leje të reja ndërtimi pa shlyer detyrimet dhe pa kryer procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndertura prej tyre. Po e fillojmë këtë proces me Bashkinë e Tiranës. Unë kam këtu një listë me 341 objekte ose persona, të cilat po sot do të përcillen në Bashkisë së Tiranës dhe do t’i kërkohet ajo që thashë më sipër. Asnjë leje e re për këto subjekte pa përmbyllur legalizimin e pallateve të ndërtuara deri më sot.

Janë në total 1 200 objekte për të cilat banorët kanë kërkuar legalizim, ndërsa lista e zezë e ndërtuesve vetëm në Tiranë arrin në 341 subjekte.

“Si mund të çash ferrën e të ikësh duke ia lënë barrë banorëve e të mund të ndërtosh prapë?”

Sipas të dhënave të Agjencisë së Legalizimit të Zonave informale, në rang vendi, gjysma e lejeve të dhëna nga bashkitë janë shkelur. Deri më sot janë legalizuar 110 objekte të tilla dhe janë në proces 85 pallate të tjera. Tashmë aplikimi për legalizim nuk do të jetë më individual nga 1 banor, por nga i gjithë pallati, ose ndërtuesi.

Tv Klan






Të ngjashme