Lamtumira e fundit për dy “Dëshmorët e Atdheut”
Banesa e fundit e ushtarakëve Floran Delia dhe Donald Hoxha do të jetë te “Varrezat e Dëshmorëve”.
Trupat e pajetë të dy pilotëve të Forcave të Armatosura u përcollën me nderime, pas homazheve të zhvilluara në hollin e Pallateve të Kongreseve.
Në lamtumirën e fundit të dy pilotëve ishin të afërm, kolegë, anëtarë të kabinetit qeveritar, politikanë, ambasadorë, përfaqësues të Forcave Ushtarake, policore dhe qytetare.
Kapiten Floran Delia dhe Toger Donald Hoxha u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” pas vdekjes.
Dy përfaqësuesit e Forcave të Armatosura humbën jetën në mesditën e së mërkurës.
Helikopteri me të cilin ata po kryenin një seancë stërvitore u rrëzua në Liqenin Grizhë të Malësisë së Madhe.
Dy ushtarakët gjetën vdekjen e menjëherëshme. I treti në bordin e helikopterit EuroCopter 145, ushtari profesionist Gerald Baramuça, mbeti i plagosur.
Jashtë rrezikut për jetën, ai është nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Enkelejda Mema/Tv Klan