Legalizimet, 50 % e vlerës paguhet me letra me vlerë
Çdo qytetar që është në proces për legalizimin e ndërtimeve pa leje ose që e ka përfunduar atë do të mund të përdorë bonot e privatizimit. Vendimi i Këshillit të Ministrave i ditës së enjte heq kufizimet në përdorimin e letrave me vlerë, duke i dhënë kështu mundësi shtetasve që të paguajnë nëpërmjet tyre 50% të detyrimeve për ndërtimin informal.
Sipas kreut të ALUIZNI-t për Tiranën, Agim Berisha, pavarësisht sipërfaqjes së zënë, nga pagesa me bono privatizimi përfitojnë të gjthë qytetarët, të cilët kanë ndërtime brenda dhe jashtë vijës së verdhë.
Por ndyshimet e bëra në ligjin e ri favorizojnë dhe ata shtetas, të cilët legalizimin e ndërtimeve informale e kanë bërë më para kesh në dorë. Edhe për ta tha zoti Berisha do të ketë nje rimbursim, çka u jep atyre mundësinë të përfitojnë nga vendimi i qeverisë.
Në ndryshimin që iu bë ligjit për legalizimet përcaktohet se per ndërtimet në periferi që përfitojnë nga pagesa e letrave me vlerë nuk duhet paguar më shumë se 4 milionë Lekë të vjetra, ndonëse për përdorimin e tyre në procesin e legalizimeve nuk ka afat.
Sipas kreut të ALUIZNI-t për Tiranën ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, që përfundon më 24 Shkurt, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve.
Por procesi i legalizimit me letra me vlere nuk përfundon me këtë datë dhe vazhdon deri në legalizimin e ndërtimit të fundit pa leje. Andaj theksoi ai, dikasteri i drejtuar prej tij ka bërë dixhitalizimin dhe për çdo pronë ALUIZNI ka gati grafikun në bazë të të cilit do të bëhet më pas dhe legalizimi i objekteve.
Sipas zotit Berisha, në Tiranë janë 86 mijë ndërtime, të cilat presin të legalizohen. Ndërsa 40-45 mijë qytetarëve do t’iu lindë e drejta për përdorim të letrave me vlerë, pas ndryshimeve që iu bënë ligjit për legalizimet. Hyrja në fuqi e këtij ligji pritet të rrisë edhe vlerën e bonove të privatizimit në treg.
Tv Klan