Legalizimi i prostitucionit, pro dhe kundër


Legalizimi i prostitucionit, pro dhe kundër

Autori: Blendi Fevziu

22:49 27/02/2012

Legalizimi i prostitucionit është i ndryshëm në shtetet e Europës. Holanda, Gjermania, Greqia, Zvicra, Turqia, Hungaria dhe Letonia kanë një ligj të rregulluar përsa i përket lejimit të prostitucionit. Në shumë vende të tjera ka hendeqe të mëdha mes asaj që ndodh në librat e ligjeve dhe asaj që ndodh në praktikë.

Por në varësi të vendit, shteteve apo qyteteve ligjet ndryshojnë. Ka nga ato vende që e ndalojnë këtë aktivitet, nga ato që nuk kanë ndonjë ligj specifik për të rregulluar këtë aktivitet apo ato që kanë një bazë ligjore të organizuar shumë mirë.

Baza e asaj që quhet prostitucion lidhet me shitjen apo blerjen e shërbimeve seksuale. Ligjet për prostitucioninin janë shpesh subjekt intepretimesh të ndryshme në zonat e Bashkimit Europian.

Ndërsa prostitucioni për të rriturit ndryshon nga njëri shtet në tjetrin, ligji për prostitucionin e të miturve është i njëjtë, i ndaluar. Por shtetet që kanë praktikat më të lira për prostitucionin janë Holanda dhe Gjermania. Në këto të fundit, nga viti 2002 seksi me pagesë është punë me titull të plotë dhe janë të regjistruara rreth 400 mijë punëtore seksi.

Dritaret e Amsterdamit janë të njohura në të gjithë botën, ndërsa në Suedi, Norvegji dhe Islandë është ilegale të paguash për seks, por jo të prostituosh. Pra klienti bën një krim, por jo prostituta. Në Europën Lindore ligjet antiprostitucion më shumë sulmojnë prostitutën sepse në këto vende kjo lidhet me këndvështirmin moral apo konservativ. Disa vende si Anglia, Irlanda dhe Franca kanë ligje shumë të ashpra kundër prostitucionit, por nuk quhet krim prostituimi i të rriturve nëpër rrugë.

Sipas rregullave të reja, prostitucioni cilësohet aktivitet që dhunon qetësinë dhe rendin publik. Ndaj ka sanksione për shfrytëzuesit dhe klientët. Ka vendi si Spanja, Belgjika dhe Çekia që nuk e lejojnë prostitucionin, por as nuk kanë një praktikë ligjore të qartë. Në të gjithë shtetet e SHBA shitja apo blerja e shërbimeve seksuale është e paligjshme. Përjashtim bën vetëm Nevada dhe Road Island, ku prostitucioni është i ligjshëm.

Në Shqipëri ka patur disa raste të evidentimit të prostitucionit, të cilat më hsumë kanë qenë në ambiente të paligjshme, ku shfrytëzoheshin për shërbime seksuale kryesisht femra që e bënin për arsye përfitimi. Në vende të ndryshme të botës prostitucioni elitar mbetet më i vështiri për t’u zbuluar.

Për të diskutuar mbi legalizimin e prostitucionit në Shqipëri, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar deputetja Eglantina Gjermeni, komisionerja Irma Baraku, drejtoresha e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut Elsa Ballauri, sociologu Luan Hajdaraga, juristi Ylli Manjani dhe  Ermir Gjinishi./tvklan.al






Të ngjashme