Lehtësohet karantina në Tiranë
Të paktë qytetarët me maska në rrugët e kryeqytetit
Një përqafim në kohën e Covid-it mund të përbëjë rrezik, por me sa duket jo për kryeqytetasit që ecja në grupe është kthyer në rutinë.
“Tirana vijon të jetë një zonë e kuqe sa i përket masave ndaj Covid, por duket se i vetmi ndryshim me zonat e gjelbërta janë fashat orare e jo lëvizja e njerëzve”.
Në një kohë që mbrojtja nga Covid–19 po lihet më shumë në ndërgjegjien e qytetarëve, këta të fundit duket se më se paku po shqetësohen. Qarkullimi i lirë deri në orën 17:30 ka dyndur në rrugë të madh e të vogël duke e bërë mbajtjen e distancave thuajse të pamundur.
I pakët është edhe përdorimi i maskave e dorezave. Lehtësimin e masave e quajnë një hap pozitiv, por shprehen të pasigurtë për ecurinë e situatës.
“Po, kemi frikë”.
“Është mirë për shëndetin dhe keq për ekonominë”.
“Mirë bënë që e liruan, tani ç’të bëjmë, po na zuri le të na zërë”.
Lëvizje ka edhe në Parkun e Liqenit artificial, aty ku shiritet e ndalimit janë hequr. Duke nisur nga 11 Maji, automjetet mund të lëvizin pa marrë një autorizim deri në orën 17:30. Kjo bëri që kjo e hënë të kishte shtim të qarkullimit e në disa akse të krijohej edhe trafik.
Tv Klan