09:08 09/06/2018Sarandë- Në kuadër të zbatimit të plan masave të marra për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, policia ka vijuar kontrollet e shumta me qëllim evidentimin dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, si dhe për kapjen e ndalimin e personave të cilët kryejnë vepra penale.
Si rezultat i kontrolleve është arrestuar 27- vjeçari me inicialet L. Niko, banues në Gjashtë, Sarandë.
I riu është konstatuar në lagjen ''Nr.1'', duke qarkulluar me mjetin tip ''Smart'', në të cilin mbante një armë zjarri pistoletë pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë tip ''TT'' si dhe automjeti.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale ''Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit''.
Policia shprehet e vendosur dhe e gatshme për të goditur çdo rast paligjshmërie me qëllim garantimin e një sezoni turistik sa më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë./tvklan.al