
Lezha nën pushtetin e ujit, shiu përmbyt rrugë e banesa
Mëngjesi i së dielës e ka gjetur Lezhën nën pushtetin e ujit. Reshjet e rëna gjatë natës kanë përmbytur jo vetëm rrugë, por edhe banesa.
Situata më problematike ishte në lagjen “Besëlidhja.”
Burime nga Bashkia e Lezhës thonë se situata u përkeqësua si pasojë e problemeve me energjinë elektrike në stacionin e pompimit që bën edhe largimin e ujërave.
Probleme pati edhe në njësinë administrative të Kolshit. Vërshimi i dy përrenjve malor përmbyti katet e para në disa shtëpi, ndërsa kanali shkarkues i tyre arriti në pikën kritike.
Vërshimi i ujërave solli inerte në aksin e vjetër rrugor Lezhë- Milot, që është edhe nyja që lidh disa fshatra me qendrën e qytetit.
Emergjencat civile ende nuk kanë bërë evidentimin e situatës, ndërsa në terren janë punonjësit e shërbimeve të bashkisë që po punojnë për zhbllokimin e kanaleve.
Tv Klan