Librazhd, vetëvritet i dënuari, plagosen policët – (29 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Dy policë plagosen rëndë dhe vetëvritet një i dënuar. Dy punonjës të policisë së komisariatit të Korçës janë plagosur rëndë ndërsa shoqëronin për në Tiranë dy përsona të dënuar për krime të ndryshme. Ngjarja sipas shefit të policisë së Librazhdit, ka ndodhur sot në orën 6 e 50. Grupi i shoqërimit të komisariatit të policisë së Korçës po shoqëronte me automjetin e tyre dy të dënuar, Elton Liqeni 27-vjeç, i cili akuzohet për vrasje me dhunë dhe Spiro Muça 32 vjeç i dënuar për vjedhje të dy nga fshati Shamoll i këtij rrethi.
Pasi furgoni i policisë ka ndaluar 300 metra larg urës në të dalë të qytetit të Librazhdit, të dënuarit Liqeni dhe Muça duke përfituar nga situata kanë rrëmbyer automatikun e njërit prej policëve dhe kanë hapur zjarr ndaj grupit të shoqërimit duke plagosur rëndë dy nga policët. Pas kësaj ata kanë dalë nga furgoni dhe kanë rrembyer një automjet të Përrenjasit dhe janë nisur në drejtim të Korçës. Menjëherë forcat e policisë të komisariatit të Librazhdit janë vënë në ndjekje të këtyre personave.
Më pas në afërsi të fshatit Dragostunj, i dënuari Elton Liqeni ka vrarë veten kurse Spiro Muça është kapur nga policia. Të dy policët e plagosur Gjergj Palloi dhe Petrika Denikaj janë dërguar menjëher për mjekim në spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Rendit ngjarja e rëndë ka ardhur si shkak i pakujdesisë dhe mos zbatimit të rregullave nga vetë policët, gjë që solli dhe fundin tragjik të ngjarjes./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj