Liderët botërorë përgojojnë Trump (Video)
Donald Trump duket se është në qendër të bisedave edhe mes grupeve të ndryshme të liderëve botërorë.
Qëkur ka shkuar në Britani, në kuadër të një takimi për NATO-n, ai ka dominuar të gjithë titujt kryesorë të lajmeve, fillimisht duke quajtur liderin francez, Emmanuel Macron “të poshtër”.
Disa orë pas kësaj deklarate duket se Trump ishte çështje diskutimi mes Macron, Boris Johnson, kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe liderit holandez Mark Rutte, të cilët janë kapur nga mediat duke përgojuar presidentin amerikan.
Të pavetëdijshëm se po filmohen, Johnson e pyet presidentin francez: “Është kjo arsyeja pse u vonuat”?
“Ishte vonë sepse qëndroi në një konferencë 40 minuta”, përgjigjet Trudeau në vend të tij.
Macron, i cili i ka kthyer kurrizin, nuk dëgjohet pasi thotë diçka që nuk e kap mikrofoni. Në këtë moment kryeministri kanadez shton: “Vetëm shikoni se si ekipi i tij ngeli gojëhapur”.
Edhe pse nuk e përmendin me emër, ata qartësisht flasin për Trump, shkruajnë mediat britanike.
Trudeau duket se i referohet sjelljes së Trump në konferencën për shtyp gjatë ditës së parë të samitit 2-ditor. Nuk është e qartë nëse presidenti amerikan do të reagojë nëse zbulon që liderët e tjerë botërorë e kanë “tallur”. /tvklan.al