Lideri i Ballit Kombëtar Abaz Ermenji flet per koalicionin me PD – (17 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Aleanca e Partisë së Ballit Kombëtar me Partinë Demokratike, ka bërë që Abaz Ermenji, lideri historik i kësaj partie, të lërë Francën dhe të vijë në Tiranë. Jo për shkak të moshës, por për shkak të konjukturave politike, Ermenji ka harruar të kaluarën e hidhur me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën. Ai ka thënë, se midis dy të këqijave ka zgjedhur më të voglën.
Abaz Ermenji:- “Koalicionin e djathtë e quaj si një gjë të nevojshme, jo një gjë ideale, por një gjë e nevojshme nga rrethanat shumë të vështira ku ndodhet sot populli shqiptar. Këtu ishin krijuar dy antagonizma, në një anë qeveria socialiste, në një anë zoti Berisha, që pati qenë kryetar shteti, por pati falimentuar si kryetar shteti, sepse më në fund u detyrua Europa të dërgonte fuqi policore ndërkombëtare për të mbajtur gjendjen këtu në Shqipëri. Ajo që po i ndodh këtij vendi me disa prirje anti-kombëtare është rreziku më i madh që duhet përballuar i pari”.
Gazetarja:- Vazhdoni të keni rezerva ndaj Partisë Demokratike dhe zotit Berisha ju personalisht, duke pasur parasysh se jeni kërcënuar për t’u larguar nga Shqipëria gjatë zgjedhjeve të ‘96?
Abaz Ermenji:- “Atyre gjërave nuk u jap shumë rëndësi se janë të zakonshme në politikë, sidomos në politikën shqiptare që nuk është aq shumë e evoluar. Në politik nuk ka inate, nuk ka mëri, se atëherë popujt nuk pajtohen kurrë, prandaj ato që kam thënë për zotin Berisha ishin të vërteta në atë kohë, por tani zoti Berisha është një fuqi e favorshme për të vepruar në politikën e sotshme dhe për të larguar rrezikun më të madh që paraqitet sot”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego