Lidershipi i keq: 10 gabimet që çdo drejtues i mirë duhet të evitojë
Kushdo që dëshiron të jetë një lider i mirë duhet të marrë parasysh që ndër gjërat më të rëndësishme që duhet të bëjë është që të menaxhojë punonjësit e tij. Për të qenë një shef i mirë një person duhet të ketë disa cilësi, një pjesë e së cilave duhet të zhvillohen me kalimin e kohës.
Të qenit një lider kërkon një përpjekje të vazhdueshme për të monitoruar sjelljen dhe cilësitë drejtuese, në mënyrë që të mos bëni gabime që jo vetëm do të dëmtojnë punën, por do të largojnë edhe punonjësit. Kjo në të shumtën e rasteve ka pasoja, pasi një lider i keq ka tendencën që të largojë punonjësit e zotë. Kur jeni në pozicionin e liderit është shumë e rëndësishme që të jepni një shembull për të tjerët, që ata duhet ta ndjekin. Në pozicione të tilla, një person e ka tepër të lehtë që të gabojë. Eksperti Robert Half sjell disa prej cilësive që ka një lider i keq, që nëse dëshironi të mos jeni të tillë, bëni mirë t’i evitoni dhe të bëni të kundërtën. Mikro – menaxhimi i punonjësve Nëse nuk i jepni pak lirshmëri në vendimmarrje dhe autonomi punonjësve, mos prisni që ata të qëndrojnë në ndërmarrjen tuaj për shumë kohë. Në të njëjtën kohë, duke u përpjekur për të kontrolluar gjithçka, rrezikoni të ezauroni veten dhe të diktoni gjithçka punonjësit bëjnë. Si lider duhet të që keni vetëbesim dhe t’i besoni skuadrës me të cilën punoni, që ata të ndjejnë se janë të aftë për të bërë punën dhe të drejtohen tek ju për udhëzime. Të qenit “unë i di të gjitha” Askush nuk i ka të gjitha përgjigjet dhe askush nuk ka gjithmonë të drejtë. Me njerëzit që kanë tendencën për të pretenduar se dinë gjithçka dhe se nuk gabojnë kurrë është shumë e vështirë të punosh. Këta lloj drejtuesish e kanë shumë të vështirë të fitojnë respektin dhe besimin e punonjësve të tyre. Është shumë e rëndësishme që të jeni të hapur ndaj sugjerimeve dhe kur është e mundur të bashkëpunoni në vendimarrje me punonjësit. Motivimi i tyre do të përmirësohet kur keni përulësinë për të dëgjuar atë çfarë ata kanë për të ofruar. Të qëndruarit të fshehur në zyrë Një lider i mirë nuk rri gjatë gjithë kohës në zyrë, por përfshihet sëbashku me punonjësit në punë dhe është aktiv. Është shumë e rëndësishme që një lider të japë një shembull pozitiv sa i përket punës. Ai nuk duhet të jetë një figurë e largët që qëndron gjithë kohës në zyrë me dyer të mbyllura. Të qenit më miqësor seç duhet Në të njëjtën kohë, nuk duhet të jeni më miqësor seç duhet me punonjësit. Është e nevojshme që të ketë një farë distance në mënyrë që të mbani autoritetin tuaj dhe të jeni një drejtues me efiçent. Në të kundërt rrezikoni që punonjësit ta marrin besimin për të mirëqenë dhe të abuzojnë. Të pretenduarit rezultate “perfekte” Punonjësit kanë shumë pak gjasa që t’i përgjigjen mirë pretendimeve për performancë perfekte. Rezultate pozitive dhe të mira duhet të inkurajohen duke e ushqyer stafin, duke i mbështetur ata dhe duke përforcuar sjelljet që vlerësoni tek ata. Ndonjëherë do të jetë e nevojshme që të ofroni kritika konstruktive për të inkurajuar ata punonjës që mund të bëjnë edhe më mirë, por është e rëndësishme që të jeni të ndjeshëm dhe empatikë. Të qëndruarit në pozicion mbrojtës Shpesh është e nevojshme që të merrni vendime të vështira dhe kjo është zakonisht detyra e liderit. Nëse tregoheni të pavendosur dhe nuk merrni një vendim e mbani një qëndrim të caktuar e bindës, kjo do të krijojë boshllëk në lidershipin tuaj. Autoriteti duhet të jetë i palëkundur. Një lider i mirë mer vendime dhe mban përgjegjësi për to. Të marrit meritat e punës së tjetrit Nëse një punonjës bën një punë të mirë apo ka një ide mirë, gjëja e fundit që ai do është që të zbulojë që shefi i ka marë meritat për këtë. Kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjë një lider. Duke vepruar në mënyrë të tillë do të bëni që morali dhe besimi i punonjësve të thyhet. Një lider i mirë e vlerëson dhe ia njeh punën punonjësve të tij dhe inkurajon për ide inovative. Të punësuarit njerëz të zakonshëm Nëse dëshironi që të bëni përpara në sipërmarrjen tuaj evitoni me çdo kusht që të merrni në punë këdo që del përpara. Si lider dhe menaxher nga ju pritet që të jeni të aftë për të gjetur njerëz të veçantë, të cilët janë të gatshëm për të shkuar larg dhe për të patur rezultate fantastike. Nëse punësoni njerëz të zakonshëm, rezultati do të jetë i tillë. Mos harroni se puna në grup është tepër e rëndësishme dhe punonjësit tuaj duhet të kenë në grup njerëz të zotë me të cilët mund të bashkëpunojnë. Në të kundërt rrezikoni që edhe ata punonjës të aftë që keni të largohen. Neglizhenca në zhvillimin personal Është tepër e rëndësishëm që pavarësisht nëse jeni në një pozicion të lartë të mos ndaleni kurrë së përmirësuari, së zhvilluari, së rrituri profesionalisht. Nëse dështoni në përmirësimin e aftësive si drejtues, kompetencat tuaja do të jenë në një pozicion vulnerabël. Për të qenë një lider i mirë duhet të kuptoni sektorin e caktuar dhe rolin e atyre që punojnë për ju, më mirë se ata vetë. Trajnojini, mësojini dhe jini një mentor i mirë, në të kundërt aftësitë dhe dija që keni mund të bëhen obsole. Të qenit fleksibël Teksa bëni progres në karrierë, një pjesë thelbësore e zhvillimit është që të zgjeroni cilësitë si lider. Megjithatë, një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë liderët është që e kanë të vështirë për t’u adaptuar dhe për të ndryshuar. Drejtuesit më të mirë duhet të përshtaten me stilin, nevojat dhe personalitetet e skuadrës së tyre të punës. Lidershipi i keq mund të ofrojë mësime të mira Asnjë lider nuk dëshiron që të konsiderohet si “shef i keq”. Për të qenë një lider i mirë kërkon kohë. Pjesa më e madhe e lidërve do t’i bëjnë të gjitha gabimet e rreshtuara më lart gjatë rrugës së tyre, por ata që do të mësojnë dhe do të rriten, do të jenë një hap para në karrierën e tyre./tvklan.al