Ligji për kompanitë e naftës, si do të refuzohen ata që cënojnë sigurinë
Sektori i naftës ka qenë gjithmonë një nga degët e industrisë më të kërkuara në momente tensionesh gjeopolitike. Rastet kur kompani ruse, iraniane apo kineze kërkojnë të hyjnë në tregjet europiane dhe të marrin pasuritë nëntokësore të naftës dhe gazit, kane “shqetësuar” së fundi edhe institucionet shqiptare.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka riformatuar të gjithë ligjin për funksionimin e sektorit te kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë draftin, i cili pas disa ditësh do të përcillet për t’u miratuar në qeveri.
Për herë të parë, ministrit të linjës, i lind e drejta që të refuzojë ardhjen e një kompanie në Shqipëri e cila mund te konsiderohet si rrezik për sigurinë kombëtare.
Të kontaktuar nga televizioni Klan, burime zyrtare në ministrinë së Energjisë, thonë se ky ligj do të pengojë interesat e firmave që kanë origjinë vendet të cilat janë jashtë interesave strategjikë të Shqipërisë.
Ministri e refuzon ardhjen e tyre pa dhënë shpjegime. Rregullimi do të bëhet me ligj, në mënyrë që kompanitë të mos e ankimojnë refuzimin në gjykatë.
E njëjta pengesë vendoset edhe në shitjen e pronësisë apo aseteve që kanë konçesionarët e blloqeve të naftës në vendin tonë. Përpara çdo transaksioni ata tashmë detyrohen të çojnë një kërkesë në ministri, e në varësi të përgjigjes, lejohen ose jo të kryejnë shitjen e aktivitetit./ TV KLAN