Ligji për mbrojtjen e kafshëve, Veliaj firmos peticionin
Në mbarë vendin ka nisur nënshkrimi i një peticioni që synon propozimin e ligjit për mbrojtjen e kafshëve nga dhuna dhe braktisja.
Kësaj nisme i është bashkuar dje edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë për nënshkrimin e këtij peticioni në mbrojtje të kafshëve.“Të gjithë bashkë në mbrojtje të banorëve më specialë të qytetit! Dje nënshkrova peticionin dhe iu bashkova 10150 qytetarëve, të cilët janë angazhuar për miratimin e një ligji në mbrojtje të kafshëve. Jam i sigurt se mund të bëhemi më shumë! Ju e keni nënshkruar peticionin?!#1Ligj4Putra”,
shkruan Veliaj. Projektligji i propozuar parashikon dënim me burg për dhunuesit si dhe gjobe ndaj atyre që i braktisin kafshët. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash ndërgjegjësimi, por dhe për trajtimin e qenve endacakë, sikurse është vaksinimi dhe matrikulimi i tyre. Prej shkurtit të vitit 2016, ka nisur funksionimi edhe i klinikës veterinare të bashkisë në zonën e Kombinatit, ku bëhet trajtimi i kafshëve nga specialistët./tvklan.al