Lihen në burg 7 anëtarët e grupit të drogës


Lihen në burg 7 anëtarët e grupit të drogës

15:39 08/07/2016

Gjykata për Krimet e Rënda, me kërkesë të Prokurorisë, ka lënë në burg 7 të arrestuarit të operacionit ndërkombëtarë antidrogë “Ballkani”, mes të cilëve, organizatorët dhe financuesit e grupit, biznesmenët e ndërtimit, Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri, Anesti Koromani dhe Nuredin Nazëraj.

Të arrestuarit e tjerë, që u njohën me masën e sigurisë janë Lulzim Qorri, Denis Sinameta dhe kosovari, Blerim Ukimeraj.

E gjithë pasuria e 4 biznesmenëve të prangosur do të sekuestrohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

Hetuesit thonë se ajo është produkt i aktivitetit kriminal të këtij grupi, i cili kishte disa vite që ishte aktiv në trafikun e drogërave të rënda, nga Turqia drejt BE -së.

Janë disa komplekse pallatesh të ndërtuara në kryeqytet, në zonën e Yzberishtit, Kasharit, Komunën e Parisin dhe tek Fresku, për të cilat pritet vendosja e sekuestros.

Gjithashtu, edhe prona të tjera të këtyre shtetasve në qytete të ndryshme do të kenë të njëjtin fat. Nga përllogaritjet e bëra deri tani, prokurorët flasin për dhjetëra miliona euro, të investuara nga ky grup kryesisht në ndërtim dhe turizëm ndër vite.

Pasuritë e sekuestruara do të jenë ato që figurojnë në emrat e tyre dhe të afërmve të tyre, që dyshohet se janë përdorur për t’i fshehur të ardhurat.

4 biznesmenët e ndërtimit dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre u arrestuan në një operacion të gjerë antidrogë, të zhvilluar në 4 shtete të Ballkanit, Shqipëri, Greqi, Maqedoni e Bullgari, në mesin e 30 të arrestuarve të tjerë, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

23 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe shqiptarë.

Tv Klan






Të ngjashme