Lihet në burg Drejtori i Policisë së Mitrovicës
Gjykata e Lartë në Nish i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, Drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, i cili u arrestua nga policia serbe në vendkalimin kufitar në Konçul, në bazë të fletarrestit të autoriteteve serbe për, siç thuhet, vepër penale të terrorizmit.
Vendimin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Iva Popoviç, zëdhënëse e Gjykatës së Lartë në Nish.
Ajo tha se vendimi për masën e paraburgimit për Nehat Thaçin u mor për shkak të “rrezikut nga ikja e dënimit që mund të shqiptohet prej më shumë se 10 vjetësh dhe për shkak të rrezikut për shqetësim të opinionit.”
Arrestimet nga Serbia do ta dëmtojnë normalizimin e marrëdhënieve
Nehat Thaçi, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, i cili është arrestuar të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20:00, në vendkalimin kufitar në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë, gjendet në Qendrën e paraburgimit në Nish, kanë njoftuar autoritetet e Serbisë.
Ato kanë theksuar se Thaçi është arrestuar sipas fletarrestim të lëshuar nga Gjykata e lartë e Nishit në vitin 2009 për, siç thuhet, vepër penale të terrorizmit.
Zëdhënësja e Gjykatës së lartë në Nish, Iva Popoviç, ka thënë se Thaçi gjatë ditës do të dëgjohet, në mënyrë që gjyqi të vendos se a do të mbetet në paraburgim apo do t’i hiqet kjo masë.
Rastin e Thaçit e ka marrë Prokuroria e shtetit për krim të organizuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Stanojeviç, zëdhënës i Prokurorisë së lartë publike të Nishit.
“Tash, ku ai është privuar nga liria, hetimet do të vazhdojnë, ndërkaq që lënden e ka marrë Prokuroria për krim të organizuar”
, ka thënë Stanojeviq.
Por, arrestimi i zyrtarit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, nga ana e autoriteteve serbe, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë./tvklan.al