Lihet në burg vrasësi i elektricistit: Isha i dehur
Shkodër – “Arrest me burg” është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për Martin Zefin, autorin e vrasjes së punonjësit të OSHEE-së, Zamir Velinaj.
Martin Zefi u shfaq i penduar para trupit gjykues. Ai rrëfeu para trupit gjykues se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt dhe se në ato momente kishte konsumuar shumë alkool.
Prokurori Albert Muçaj tha se ditën e ngjarjes, 44-vjeçari kishte qenë në një dasmë dhe në mbrëmje ka parë punonjësin e OSSHE-së duke dalë nga pallati.
Ai e ka ndjekur atë duke e kërcënuar me një thikë që t’i rilidhte energjinë elektrike të ndërprerë prej më shumë se 10 ditësh.
Punonjësi i OSHEE-së ka refuzuar dhe Zefi e ka goditur disa herë me thikë në qafë dhe në trup. Edhe prokurori citoi se autori ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike gjatë ngjarjes.
Avokati i autorit të ngjarjes kërkoi vetëm vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit të 44-vjeçarit. Pasi dëgjoi palët gjyqtari vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Martin Zefin, i cili akuzohet për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. /TV KLAN