Lihtenshtajni, De Biasi rrezikon stolin nëse nuk fitojmë


Lihtenshtajni, De Biasi rrezikon stolin nëse nuk fitojmë

13:38 20/09/2016

Nuk do të jetë ndeshje si të tjerat. Ndaj Liechtenstein, kombëtarja shqiptare ka detyrim fitoren, ndryshe trajneri Gianni De Biasi do të kishte pasoja.

Italianit nuk do t’i falet asnjë rezultat tjetër dhe nëse kjo ndodh, atëherë mund të vijë edhe shkarkimi. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se për presidentin Armando Duka përballja e dytë eliminatore e botërorit është ajo që ndan shapin nga sheqeri.

I pakënaqur pas fitores së vuajtur ndaj Maqedonisë, numri një i Federatës, duket se nuk ka ndërmend të presë shumë.

Çuditërisht, ditët e lumtura të Evropianit duken larg edhe pse kanë kaluar vetëm më pak se tre muaj. Duket se në gjykimet e Dukës ka ndikuar edhe periudha e paqartë përpara dhe pas turneut francez, kur De Biazi fillimisht shpresoi të bëhej trajner i Italisë, dhe më vonë, të ulej në stolin e Anglisë.

Burimet në Federatë tregojnë se presidenti deshi t’i dilte përpara të keqes, duke bërë gati zëvendësuesin për italianin.

Tre trajnerë italianë dhe një kroat ishin kandidatët, edhe pse emrat e tyre duket se i di vetëm Duka dhe menaxheri i tij i besuar.

Gjithsesi, nëse Liechtenstein kalohet me sukses, siç edhe parashikohet, Gianni De Biasi nuk do të ketë asnjë problem për të mbyllur eliminatoret.

Një humbje ndaj Spanjës në Shkodër, madje edhe një barazim po në Shkodër ndaj Izraelit nuk do të shiheshin aspak me sy të keq në Federatë. /TV KLAN






Të ngjashme