Lin Delija, jeta e piktorit (2009)
Autori: Blendi Fevziu
22:59 04/08/2009Emri i piktorit shkodran Lin Delija qëndron sot përkrah më të mëdhenjve të nëntëqindës evropiane. Lin Delija u lind në Shkodër më 1926.
Ai u rrit dhe u edukua në Kolegjin Franceskan, ku mori hov edhe talenti i tij artistik. Pak vite më vonë do të shihte me sytë e tij burgimet, torturat, vrasjet dhe internimet e bashkëmoshatarëve së bashku me profesorët e priftërinjtë e pafajshëm. Këto lanë mbresa të pashlyeshme dhe më vonë u bënë tema e preferuar e tij e përjetësuar në telajo. Viti 1948 e gjen ushtar në Gjirokastër i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi.
Nga ana tjetër lajmet e trishtueshme që vinin nga Shkodra e largët për arrestimet në masë të kolegëve dhe meshtarëve. I ndodhur midis dualizmit të burgut e vdekjes që nuk do të vononin të vinin, ai zgjedh një sakrificë supreme për të; rrugën e largimit nga atdheu. Vendoset në Zagreb, ku shkon në Akademinë e Pikturës, e më vonë vazhdon studimet në Romë i tërhequr nga Ernest Koliqi.
Në Romë pati fatin të kishte profesorë me emër në artin italian si Mafei dhe Bartoli, të cilët më vonë do të ishin krenarë për arritjet e nxënësit të tyre. Pas mbarimit të studimeve i propozojnë drejtimin e Katedrës së pikturës në Akademinë e Firences, detyrë të cilën e refuzon për t’iu kushtuar pikturës. Veprat e Delisë dalloheshin për individualitet të spikatur, veçanti të ngjyrave të përdorura gjë që tërhoqi gjithnjë e më tepër vëmendjen e të mëdhenjve të pikturës italiane e më gjerë./tvklan.al