Lionel Messi nuk paraqitet sërish në stërvitje
Mundo Deportivo: Shkon te Manchester City vetëm falas
Lionel Messi ende nuk po i bashkohet Barcelonës në stërvitje, duke treguar se mendon largimin.
Pista kryesore është Manchester City, por sipas gazetës katalanase “Mundo Deportivo”, klubi anglez nuk mendon të shpenzojë 700 milionë Euro për kartonin e lojtarit, pasi do të ndikonte edhe në rregullat e Fair Play financiar.
Nga ana tjetër, Barcelona nuk do ta lëshojë falas. Po kjo gazetë shkruan se vetë trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka këshilluar Messin të mendohet edhe një herë dhe ndoshta ta mbyllë karrierën te Barça.
Edhe pse Guardiola e ka dëshirën që ta ketë sërish në ekip, në komunikimin telefonik mes tyre i ka sqaruar lojtarit se janë një sërë pengesash financiare që e pengojnë këtë lëvizje.
Pritet një takim mes Presidentit Bartomeu dhe babait të futbollistit këtë të mërkurë për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Marrëveshja e Lionel Messi me Barcelonën mbyllet më 30 Qershor të 2021.
Tv Klan