Liqeni i Fierzës, Ministria e Mjedisit: Masa të ashpra për pushtetarët vendorë
Liqeni i Fierzës, Ministria e Mjedisit: Masa të ashpra për pushtetarët vendorë
Shpërndaje
15:35 04/05/2014Skandali i publikuar në Tv Klan me ndotjen masive të liqenit të Fierzës, ka vënë në lëvizje autoritetet. Bashki e Komuna janë thirrur të hënën nga Këshilli i Qarkut për të pastruar liqenin e Fierzës, që është mbushur me tolenata mbetje urbane, industriale, spitalore e plastike.Por krahas këtij aksioni, një grup i Ministrisë së Mjedisit do të verifikojë përgjegjësinë e çdo drejtuesi të pushtetit vendor në krijimin e kësaj situate.Për rastet që do të vërtetohet se ata nuk kanë respektuar ligjin për kontrollin e territorit dhe të menaxhimit të mbetjeve, burime zyrtare nga Ministria e Mjedisit thonë se do të ketë gjoba deri në 10 milionë lekë. E nëse pas gjobave situata nuk do të ndryshojë, të njëjtat burime thonë se Ministria do të propozojë shkarkimin nga detyra të pushtetarëve vendorë që nuk do të zbatojnë detyrimet ligjore.Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit ka fajësuar pushtetin qendror, pasi sipas tij, ka vonuar miratimin e një projekti për pastrimin e liqenit të Fierzës. Por Ministria e Mjedisit thotë se situata është paksa komplekse, pasi bëhet fjalë edhe për mbetje që vijnë përmes Drinit kryesisht nga Kosova.Pas verifikimeve të grupit të kontrollit, drejtuesit e këtij dikasteri nuk përjashtojnë mundësinë që të diskutohet edhe me autoritetet e Kosovës për të parandaluar derdhjen e mbetjeve në Drin.Kjo situatë, vijon prej vitesh dhe është përkeqësuar çdo vit e më shumë. Në një dekadë thuajse nuk është ndërhyrë nga autoritetet, përjashtuar këtu një aksion të një viti më parë të iniciuar nga Këshilli i Qarkut me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave. Autoritetet vendore ende nuk kanë reaguar dhe as nuk dihet nëse do të marrin pjesë në aksionin e thirrur nga Kryetari i Këshillit të Qarkut.Tv Klan