Lirimi i Lulzim Berishës, lihet në qeli ish – drejtori i burgut të Durrësit


Lirimi i Lulzim Berishës, lihet në qeli ish – drejtori i burgut të Durrësit

13:11 23/12/2016

Astrit Kotaj ish – drejtori i burgut të Durrësit është lënë në burg nga Gjykata e Durrësit. Mbi të rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumeteve, të cilat kanë sjellë për pasojë lirimin para kohe nga burgu të Lulzim Berishës.

Para gjykatës Kotaj nuk pranoi akuzën, duke sqaruar se nuk është përgjegjësi e tij të bëjë përllogaritjet e dënimeve, por e zyrës juridike. Por prokuroria gjatë hetimeve ka faktuar se ai sëbashku me juristin e burgut Teodor Labi, i biri i ish – drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, i arrestuar për korrupsion, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.

Labi është shpallur në kërkim për të njëjtat akuza. I dënuari Lulzim Berisha duhej të kryente të paktën edhe 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga lirimi me kusht. Atij i kishin mbetur edhe 5 vjet burg për të bërë.

Prokuroria e Durrësit po kalon në sitë edhe vendimet e disa trupave gjyqësore në Krujë dhe Durrës që i kanë ulur dënimin Berishës. Gjithashtu po verifikohen edhe veprimet e prokurorit të ekzekutimeve në Prokurorinë e Rrethit.

Tv Klan






Të ngjashme