Lirimi i të kërkuarit nga drejtësia në Kosovë, shkarkohen 5 punonjës të burgut
Nga ora në orë thellohet skandali që ndodhi tek burgu i Shënkollit në Lezhë, pas lirimit të Shuaip Zhukaj, edhe pse ai duhet të ishte ekstraduar në Kosovë, ku ishte i dënuar me 20 vjet burg për vrasje.
Pas arrestimit të juristit Devis Hoxha, masa janë marrë edhe për 5 zyrtarë të tjerë. Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar nga detyra të gjithë zyrtarët që kanë pasur dijeni në këtë rast.
Masa e shkarkimit është marrë për: përgjegjësin e personelit, Armando Loka; përgjegjësin e sektorit ligjor, Dejvis Alihoxha; përgjegjësin e sektorit social, Luan Alija; punonjësin e edukimit, Jetmir Shahini dhe përgjegjësin e shëndetësisë, Shkelqim Korbi. Shuaip Zukaj, me të mbaruar dënimin e marrë në Shqipëri, për akuzën e plagosjes së një shtetasi nga Kosova në vitin 2000, në Shëngjin, është lënë i lirë.
Por në kartelën e tij personale ndodhej vendimi i formës së prerë, dhënë nga Gjykata në Shqipëri, që me përfundimin e dënimit, ai duhej të ekstradohej në Kosovë, ku ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen në vitin 2011, të Zyber Derishajt dhe plagosjen e Adil Thaçit.
/tvklan.al