Lista e Kombëtares, Presidenti Duka mbron zgjedhjet e trajnerit De Biasi
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është detyruar të publikojë një letër të hapur, pak ditë pas shpalljes së listës së lojtarëve për Europianin, nga ana e trajnerit Xhani De Biazi.
Presidenti i ka dalë në mbrojtje trajnerit dhe zgjedhjeve të tij.
Edhe pse është ende paraprake, lista ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos për mosgrumbullimin e Hamdi Salihit.
“Të gjithë duan të jenë në Francë, por për fat të keq vendet janë të limituara. Personalisht ndihem keq që një lojtar si Salihi nuk do të jetë në Francë. Po ashtu nuk mund të harrojmë kontributin e Mehës, Currit, Bulkut, Hykës, Vajushit, Kapllanit, Vilës e Ramës. Por, zgjedhjet janë ekskluzivisht të trajnerit”.
Salihi e akuzoi De Biasin se ishte ndikuar nga persona të tjerë që nuk e kishte marrë në Europian.
Shënuesi më i mirë i kampionatit, po ashtu theksoi se nuk i kuptonte kriteret nga të cilët ishte nisur italiani për zgjedhjet e tij dhe shtoi se e meritonte që të ishte edhe ai në kombëtare.
Pakënaqësi ka pasur edhe për një lojtar si Meha, dikur mjaft i rëndësishëm, por që prej kohësh nuk është preferuar nga De Biasi.
Tv Klan