Thaçi: Dialogu me Serbinë, me një unitet shembullor
Presidenti premton se do të dalë “i pastër si loti” nga akuzat e Hagës
Pas 30 orëve ballafaqim me akuzat në Hagë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shfaq i sigurtë në 3 momente të qëndrimeve të tij për atë që ndodhi.
“E para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush!
E dyta: ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet.
Dhe e treta: unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22-vjeçare”.
Në adresimin e tij për popullin e Kosovës, Thaçi pati edhe një mesazh për dialogun me Serbinë. Presidenti e vuri theksin tek të qenit unitar, njësoj si në Rambuje, Vienë dhe Bruksel.
“Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes qeverisë dhe opozitës. Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vienë dhe në Bruksel”.
Hashim Thaçi u intervistua për 4 ditë në Hagë nga trupa e Prokurorisë Speciale. Për Presidentin e Kosovës pati një njoftim, sipas të cilit ndaj tij është gati akt-akuza për krime gjatë dhe pas luftës. Thaçi ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse akuza konfirmohet nga gjykata.
Tv Klan