“Nuk gjendet Adriatik Llalla”


“Nuk gjendet Adriatik Llalla”

19:25 07/10/2021

Policia e Shteti njofton SPAK, për mos ekzekutimin e vendimit për ish-Kryeprokurorin  

Prej 15 ditësh Policia e Shtetit ka kërkuar në çdo cep të vendit ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, por nuk kanë mundur ta gjejnë. Në shkresën zyrtare drejtuar SPAK-ut uniformat blu i bëjnë me dije se kanë bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e ish-kryeprokurorit. Polica thekson se nuk ka mundur të kryejë ekzekutimin e urdhërarrestit, ndaj i kërkon Prokurorisë së Posaçme, që të nisë procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar.  

Nga verifikimet e deri tanishme rezulton në sistemin TIMS se Ardiatik Llalla është larguar nga vendi ynë rreth një muaj më parë. Burime jo zyrtare kanë bërë me dije se ai gjendet në Zvicër. Tashmë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka detyrim ligjor që të bëjë gati dokumentet dhe ta shpallë Adriatik Llallën në kërkim ndërkombëtarë. SPAK do t’i dërgojë dokumentet Interpol Tiranës.

Brenda disa ditësh, ish-Prokurori i Përgjithshëm do të shpallet me kartelë të kuqe në sistem. Adriatik Llalla do të jetë në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar së bashku me shumë qytetarë të tjerë shqiptarë.  Më 22 Shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti fajtor Llallën për veprën penale të “fshehje së pasurisë”. Ai u dënua me dy vite burg, ndërsa për 5 vite nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu gjykata i konfiskoi 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës. 

Klan News






Të ngjashme