Lleshaj: Dhuna e papranueshme


Lleshaj: Dhuna e papranueshme

12:15 22/11/2018

Ministri i Brendshëm i dekretuar, Sandër Lleshaj vizitoi gjatë mesditës efektivët e lënduar në protestën e banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re. Në dalje të spitalit të Traumës, Lleshaj tha se të plagosur kanë mbetur një numër i konsiderueshëm punonjësish të policisë, disa prej të cilëve me dëmtime të rënda.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna, ndërsa deklaroi gjithashtu se policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë.

“Kam ardhur për të parë policët e dëmtuar, edhe qytetarët e dëmtuar, sepse kishte dhe qytetarë të dëmtuar. Është për të ardhur keq, është e papranueshme, është e pakuptueshme, që në një ditë të tillë, krejt normale, të na ndodhi një ngjarje anormale, të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës. Policia e Shtetit është vetëm në një shërbim, në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur qetësinë, rendin dhe normalitetin e jetës së qytetarëve. Konstatojmë për fat të keq, se ajo sot është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të plotë të ligjit, ngrenë dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë, të cilët po ashtu në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit”. 

Lleshaj theksoi se dhuna ndaj policisë nuk do të tolerohet.

“Dua të bëj të qartë për të gjithë ata që kanë guxuar të përballen me Policinë e Shtetit se maturia, përgjegjshmëria e Policisë së Shtetit nuk duhet të kuptohet kurrësesi si dobësi e saj. Edhe njëherë duhet të kuptojmë që toleranca, në njëfarë mënyre, edhe e tepruar e Policisë së Shtetit ndaj akteve të dhunës nuk është akt dobësie dhe nuk ka për t’u toleruar”

/tvklan.al






Të ngjashme