“Llogarita jetën, të paktën vajza do mbaronte shkollën e mesme” (Video)


“Llogarita jetën, të paktën vajza do mbaronte shkollën e mesme” (Video)

20:32 29/10/2018

Ai është një kompozitor i njohur i viteve ‘80, i cili ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme edhe jashtë Shqipërisë.

Aleksandër Vezuli ka shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, përfshirë këtu muzikë klasike, muzikë filmi, këngë të ndryshme, sigla televizive, etj. Në vitin 2003 ai u diagnostikua me leuçemi dhe këtë sëmundje tregon se e ka kaluar përmes kujdesit në ushqime. I ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan kompozitori rrëfeu momentet e vështira kur u diagnostikua me këtë sëmundje për të cilën tha se ishte një goditje e madhe për familjen e tij.

“Diagnostikimi im me leuçemi ishte goditja më e madhe në familje. Leuçemia është një sëmundje që fillon shumë herët dhe zgjat shumë për t’u zhvilluar. Unë nuk ndihesha mirë dhe gruaja më tha të shkoj të bëj analizat. Mendova se kisha thjeshtë një ftohje dhe kur doktori pa 110 rruazat e bardha më tha se duhet të përsërisja me urgjencë analizat. Shkova prapë dhe më dolën 125 rruazat e bardha, doktoresha më tha më vjen keq, por duhet të shkosh tek specialisti. Shkova tek specialisti, më bëri një tjetër analizë dhe ajo më tha direkt: Ti ke leuçemi. Nuk e pranova, i thashë s’kam asnjeri në fis me leuçemi. Do fillojmë kurimin më tha. Shkova në bibliotekë dhe nisa të lexoj dhe mësova se leuçemia nga e cila vuaja shkonte deri në 10 vjet dhe një degë tjetër 15 vjet. Llogarita jetën, të paktën vajza do mbaronte shkollën e mesme. Lashë muzikën dhe nisa të studioj gjithë ditën për mjekësinë derisa arrita të lë ilaçin. Nuk i thashë gjë doktoreshës, e lashë 6 muaj dhe m’u rikthye leuçemia, më pas mësova se duhet të shkëputem gradualisht nga mjekimet. Ka qenë regjimi ushqimor që më bëri t’ia dal, me vullnet të madh arrita”,

rrëfeu kompozitori.

Gjatë emisionit ai po ashtu dha disa këshilla për të gjithë teksa tha se me vullnetin për të mbajtur një regjim ushqimor të caktuar mund të dilni fitimtar.

“Unë kam 7 vite tani që dal negativ, çdo vit e bëj analizën. Unë i them të gjithëve: Ju doni vetë të ikni nga kjo jetë. Është e gjitha tek fuqia e mendjes dhe regjimi ushqimor. Nëse ju nuk doni t’i bëni, në qafë paçi veten. Vetëm me vullnet mund të fitohet. Nëse nuk e bën t’i për veten, kush do ta bëjë për ty? Duhet vullnet për ushqimin”,

shtoi  Aleksandër Vezuli.

/tvklan.al






Të ngjashme