Lordi Spenser në Tiranë, përuron blibliotekën e re britanike (29 Nëntor 1999)
Lordi Spenser, vëllai i Ledi Dianës Princeshës së Uellsit, erdhi sot në Shqipëri. Në Aeroportin e Rinasit, ai u prit nga Ministri i Kulturës Edi Rama i cili e kishte ftuar. Hapja dhe përurimi i një biblioteke britanike në Tiranë për të cilën kishte kontribuar dhe vetë Lordi Spenser është dhe qëllimi i vizitës së tij. Lordi Spenser dha një intervistë ekskluzive për TV Klan.
Kam ardhur në Shqipëri, tha Spenser për të inaguruar bibliotekën britanike për fëmijë që do i dedikohet emri i motrës sime Dajana. Do të ndihmoj dhe në iniciativa të tjera të Ministrisë së Kulturës, vazhdoi ai. Pyetjes nëse e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët, Lordi Spenser tha se edhe pse kishte shëtitur nëpër botë si gazetar që është në Shqipëri nuk ka patur rastin të vinte më parë, ndaj dhe nuk e njihte shumë. Di, tha Spenser, se sot keni festën kombëtare dhe kjo më gëzon ta përjetoj me ju shqiptarët. Kjo është vizita ime e parë këtu në Shqipëri, tha Spenser, por unë do të rikthehem sërish pasi vendi juaj paska një bukuri të rrallë, që mua më pëlqen.
Ndërsa kur flet për motrën e tij Dajanën që tashmë nuk jeton më, ai thotë se ajo ishte një njeri me zemër të madhe. Ndihmonte të varfërit dhe të pamundurit. Humanizmi ishte qëllimi i jetës së saj, thotë ai. Ishte e bukur, thotë Spenser për të motrën, ishte një princeshë e vërtetë. Më pas ai zbulon dhe një lajm të pazbuluar më parë. Princesha Dajana do të vinte në Shqipëri, tha sot vëllai i saj në fund të vitit ’97, vit kur dhe humbi dhe jetën. Dhe një nga shkaqet që unë jam sot në Tiranë, është pikërisht përmbushja e dëshirës së motrës sime Dajana, thotë Lordi Spenser.
Ndërsa Ministri i Kulturës Edi Rama thotë:
Edi Rama: Unë desha që Lordi Spenser të ishte këtu pikërisht sot më 29 Nëntor për të plotësuar atë kornizë të festave të Nëntorit dhe fundit shekullit duke hapur një librari të literaturës angleze për fëmijët shqiptarë. Prandaj sot i ftoj të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre të vijnë në orën 17.00 tek Piramida ku do të përurohet kjo librari në kujtim të Princeshës Dajana falë punës shumë të çmuar humanitare të grupit Task Force for Albania dhe përkujdesjes së vetë Lordit Spenser i cili nderon edhe festat tona me praninë e tij./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj