Donald Lu: Llalla ishte kundër reformës në drejtësi


Donald Lu: Llalla ishte kundër reformës në drejtësi

15:24 02/02/2017

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë e akuzoi drejtpërdrejte prokurorin e Përgjithshëm si njeriun që ka tentuar të pengoj reformën në drejtësi.

Propozimi i vetëm 3 kandidateve për anëtarë të KED, aq sa dhe pozicione ka parashikuar Kushtetuta për këtë institucion, sipas diplomatit amerikan është në shkelje e frymës kushtetuese nga ana e prokurorit, i cili sipas tij synon të ruaj kontrollin mbi prokurorinë.

Ambasadori tha se ishte paralajmëruar që do të kishte përpjekje për të manipuluar procesin e përzgjedhjes së kandidateve te KED.

Ambasadori Lu paralajmëroi dhe rrezikun e vjedhjes dhe zgjedhjeve dhe si pasoje, demokracise se vendit duke treguar me gisht politikane, gjyqtare dhe prokurore te korruptuar.

lu-per-llalken

Fjala e ambasadorit amerikan

Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit.

Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë.  Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike.

Ju të shoqërisë civile dhe të medias jeni rojtarët. Kjo nuk është detyrë për amatorë. Nuk është pa kosto. Nuk është pa rreziqe.  Që të keni efekt, ju duhet mbështetje politike dhe financiare. Ju duhet përvojë, besueshmëri dhe mbi të gjitha, ju duhet kurajo.

I njëjti sy-shqiponje është i nevojshëm për reformën në drejtësi. Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. 

Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun.

Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione. 

Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë  të Këshillit duhet të përzgjidhen me short.  Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill.  Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra,  përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste.    

Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat.  Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut.  Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut. 

Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon.  Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do t’i mbështesin përpjekjet e tyre.

Javën e ardhshme, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja, për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.  Së pari do të ndihmojnë Kuvendin të vlerësojë kandidatët për Komisionet e Vetingut.  Më pas, do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vetingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale.

U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vetingut. Faqja e internetit e Avokatit të Popullit përmban të gjitha hollësitë për aplikimin.

Mesazhi im sot është i qartë. Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu, edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Evropës. Më e rëndësishmja, populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar që njerëz të fuqishëm ta vjedhin demokracinë tuaj./

 Tv Klan





Të ngjashme