Lu: Prokurorët, gjyqtarët e drejtuesit e partive të korruptuar


Lu: Prokurorët, gjyqtarët e drejtuesit e partive të korruptuar

10:38 02/06/2016

Një sondazh i publikuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, sipas të cilit 89 % e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur mes zyrtarëve publikë, i ka shërbyer Ambasadorit amerikan, Donald Lu që të vërë sërish theksin tek Reforma në Drejtësi. Kryediplomati amerikan u bëri thirrje politikanëve shqiptarë të dëgjojnë zërin e popullit, e të shohin sesa shqetësues mbetet niveli i korrupsionit në radhët e gjyqësorit dhe politikës.

“Korrupsioni po mbush paratë e gjyqtarëve me para të pista. Korrupsioni po shkatërron jetët e qytetarëve shqiptarë. Të fortët dhe të pasurit e blejnë drejtësinë, të varfërit janë viktima. Problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit dhe doganierët. Nuk habitem aspak nga ky përfundim. Ai tregon se populli shqiptar e kupton me të vërtetë se çfarë po ndodh me korrupsionin në Shqipëri. Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë ta dëgjojnë”. 

Ambasadori Lu ishte i ashpër teksa i cilësoi politikanët shqiptarë arrogantë.

“Kam pasur një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk mund ta kuptojë debatin për Reformën në Drejtësi. Sinqerisht kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë të zgjuar mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare.”

Kjo deklaratë e Ambasadorit amerikan, Donald Lu, vjen në një kohë kur mazhoranca dhe opozita prej më shumë se një jave kanë ndalur komunikimin mes tyre për Reformën në Drejtësi. Këtë javë, Ambasadori Lu nisi një tur të ri negociatash mes palëve në kuadër edhe të takimit Rama – Basha, që pritet të mbahet pasditen e së hënës.

Fjalimi i plotë i ambasadorit  Donald Lu

Një nga arsyet pse më intereson kaq shumë korrupsioni dhe reforma në drejtësi është historia që kam dëgjuar për një grua shqiptare dhe se si një gjyqtar i korruptuar e privoi nga fëmijët e saj. Ajo ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite dhe kishte qenë dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh plot vuajtje, ajo gjeti më në fund guximin ta linte bashkëshortin për hir të sigurisë së fëmijëve. Kur shkoi në sistemin gjyqësor shqiptar për të kërkuar drejtësi, gjeti vetëm më shumë vuajtje.  Gjyqtari i dha bashkëshortit të saj, një krimineli të dhunshëm dënuar për krime seksuale në të shkuarën, të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj.  Kjo gjë i theu zemrën.  E pse do vendoste një gjyqtar në favor të një personi të tillë?  Një arsye e thjeshtë — korrupsioni.

Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve të zakonshëm e të ndershëm.  Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa gratë,  të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat.

Sa nga ne kemi dëgjuar histori të tilla?

Këtë javë pata një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk e kupton dot vërtet debatin për reformën në drejtësi.  Sinqerisht, kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe të elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë boll të zgjuar sa të kuptojnë çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare.

Dhe nga e di unë se shqiptarët i kuptojnë reformat dhe problemin e korrupsionit? Për shkak të studimeve serioze të shoqërisë civile.

Për shumë vite, qeveria e Sh.B.A.-së, përmes USAID-it dhe tani përmes Programit të Komisionit për Demokraci, ka mbështetur këtë indeks për perceptimin e korrupsionit.  Është kryer në mënyrë profesionale dhe me një numër të madh shqiptarësh nga mbarë vendi.

Raporti tregon pak përparim gjatë 12 muajve të fundit me një rënie prej 13 për qind të njerëzve që thonë se kanë pasur një përvojë vetjake dhe të drejtëpërdrejtë me korrupsionin.

Studimi vazhdon të tregojë se problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit dhe doganierët.  Nuk habitem aspak nga ky përfundim që tregon se populli shqiptar e kupton vërtet se çfarë ndodh me korrupsionin në vendin e tij. Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë ta dëgjojnë. 

Së fundi, dëshiroj të falenderoj Drejtorin e IDRA-s, Auron Pasha, dhe të gjithë personelin e tij që ka punuar për këtë sondazh të gjithanshëm.  Një nga arsyet pse besoj që statistikat e korrupsionit po përmirësohen është aktivizmi i grupeve të shoqërisë civile si IDRA.

/tvklan.al






Të ngjashme