Luan Rama: Kur Berisha thotë protesta paqësore, ai nënkupton një tjetër 14 shtator (12 Shtator 2000)
Partia Socialiste i ka konsideruar të papërgjegjshme deklaratat e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha për protesta popullore në prag të zgjedhjeve lokale të 1 tetorit. Berisha ndodhet në hetim ndërkombëtar u shpreh sekretari për Marrëdhëniet Publike Luan Rama.
“Nuk merremi me akuzat që bën Berisha sepse Berisha është vetë i akuzuar tashmë për shkak të një fillimi të hetimit ndërkombëtar për të gjithë ata që kanë favorizuar me trafiqet e karburanteve, makinën ushtarake dhe fashistëve të Millosheviç gjatë kohës së luftës së tij në Bosnje. Meqënëse Berisha është bërë objekt dhe i hetimit ndërkombëtar për shkak të trafikut që ka favorizuar qeveria e tij gjatë kohës kur ishte në pushtet duke furnizuar me naftë makinën e luftës së Millosheviç dhe për shkak se Berisha është në një hetim qytetar dhe në një proces gjithashtu qytetar të votuesve shqiptarë, ai do t’a marrë ndëshkimin me votë me 1 tetor. Nuk më mbetet tjetër veçse të denoncoj dhe njëherë publikisht qendrimet e tij provokative dhe kobndjellëse të shfaqura dhe në mitingjet e fundit apo dhe deklarimet e fundit në konferencat për shtyp kur tha se do të ketë protesta paqësore. Pra, duke denoncuar këto si të papërgjegjshme, dëshiroj t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë që në konceptin e Berishës kjo protestë paqësore do të thotë një 14 shtator tjetër si në vitin 1998 dhe i ftoj të gjithë qytetarët të vazhdojnë të bojkotojnë njeriun që ka bojkotuar partinë e tij dhe që ju e keni parë që në presidiumet e tij nuk ka mëasnjë nga ata që e themeluan dhe që e rritën Partinë Demokratike.”/tvklan.al