Zinxhiri i hakmarrjes së Nelgert Patës
Nelgert Pata i ekzekutuar mesditën e kësaj të diele, nuk është një emër i panjohur për policinë e Tiranës dhe Tepelenës, qytete mes të cilave ai jetonte dhe dyshohet se kishte aktivitetin e tij.
Ai dyshohet të jetë bërë pre e luftës mes bandave rivale pikërisht nga i njëjti qytet. Vetëm pak muaj më parë, me 21 gusht të këtij viti, Pata i shpëtoi një atentati me snajper në rrugën e Kavajës, ku ai mbeti i plagosur. Në atë periudhë, Pata kishte vetëm pak kohë që kishte lënë qelitë e burgut, pas vuajtjes së dënimit për akuzat e prostitucionit që kishin rënduar ndaj tij.
Që prej asaj kohe ai u zhduk pa gjurmë e madje nuk u paraqit as në organet e policisë për të dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen.
Policia ende nuk ka një version zyrtar në lidhje me motivet e vrasjes. Dyshimet e hetuesve janë se Pata mund të jetë vrarë në vijim të zinxhirit të hakmarrjes që lidhet me vrasjen e Elton Çiçës nga Tepelena.
Ky i fundit u ekzekutua më 2 maj të këtij viti, në një lokal, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Me këtë të fundit ai dyshohet se ka pasur një hasmëri që datonte që në kohën kur Çiça ka qenë në burg në Greqi, kur është vrarë një person që besohej se ishte mik i Jani Alisë dhe Nelgert Patës.
34-vjeçari nga Tepelena, dyshohet se është pjesë e bandës së Jani Aliajt dhe Renato Milloshit, dy të kërkuar për vrasjen e Elton Çiçës.
Tre muaj pas kësaj ngjarjeje, me 21 gusht të vitit 2016, Pata i shpëtoi atentatit në rrugën e Kavajës, ku mbeti i plagosur lehtë. Edhe pse nuk është dokumentuar nga policia, ky atentat dyshohet se ka lidhje me këtë zinxhir hakmarrjeje.
Po kështu, në zinxhirin e ngjarjeve kriminale të kësaj vrasje dyshohet të jetë edhe plagosja e Andi Mustafarajt, ngjarje e ndodhur më 28 tetor të këtij viti, në një lokal pranë ish-ekspozitës në Tiranë.
Mustafaraj kishte patur lidhje të ngushta me Elton Çiçën. Edhe në këtë rast, pavarësisht dyshimeve të policisë që e lidhin ngjarjen me serinë e hakmarrjes, ajo nuk është dokumentuar ende të ketë lidhje./ TV KLAN