Lufta antikorrupsion, vjen bashkëpunimi i parë Shqipëri-Itali


Lufta antikorrupsion, vjen bashkëpunimi i parë Shqipëri-Itali

11:31 11/01/2018

Shkëmbimi i eksperiencave të stafit shqiptar me Autoritetin Kombëtar të Antikorrupsionit në Itali është edhe bashkëpunimi i parë mes dy vendeve në luftën kundër korrupsionit.

Lajmi vjen gjatë vizitës dyditore të Kreut të Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit italian, Raffaelle Cantone, në Shqipëri, ku të enjten takoi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, Gjonaj tha se “

me zotin Cantone arritëm në një bashkëpunim të parë, i cili është shkëmbimi i eksperiencave të stafit shqiptar me Autoritetin Antikorrupsion në Itali. Ministria e Drejtësisë në rolin e koordinatorit kombëtar po shikon të zhvillojë sa më shumë metodolodhinë dhe mënyrën e luftës kundër korrupsionit, prandaj në këtë moment ngelemi në këtë fazë dhe jemi duke punuar planin e ri të veprimit 2018-2020.”

Cantone, nga ana e tij, tha se

“Shqipëria po bën shumë nga pikëpamja e masave legjislative dhe po bën shumë edhe mbi planin e angazhimit mbi masat e planit antikorrupsion. Ne si miq të Shqipërisë mendojmë se mund të japim mbështetje konkrete kundër këtij fenomeni.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Shqipëri, Cantone do të takojë sot edhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Kryeministrin Edi Rama. /tvklan.al






Të ngjashme